| Harroni librat prej letre, nis dixhitali |
|
Amazon shfaqi solemnisht vetem pak dite me pare “Kindle*”-in, një pajisje elektronike 399 dollarëshe, e cila mbahet në dorë dhe shkarkon nga Interneti libra, gazeta dhe revista në format dixhital. Ashtu siç na sugjeron edhe emri, Kindle është pajisja e Amazonit për t’i vënë zjarrin biznesit tradicional të librave të shtypur në letër (?!). Ndërkohë, muajin e kaluar Sony hodhi në treg versionin e përmirësuar të Sony Reader-it(Lexuesi Sony). Me sa duket, Sony dhe Amazon janë të mendimit se më në fund publiku është i gatshëm t’i ndërrojë librat e shtypur me më tepër ekrane kompjuterësh. Por shumë përpjekje në këtë udhë kanë dështuar në masë dekadën e fundit. Dy javë më parë, gazeta Wall Street Journal citonte një drejtues të Rosetta Books , i cili llogariste se shitjet e librave elektronikë (e-books) luhateshin diku mes 15 milion dollarëve dhe 25 milion dollarëve në vit. Kjo është vetëm një grimë nga të ardhurat prej 25 miliard dollarë, që industria e shtypit dhe botimeve ka nxjerrë në 2007. Atëherë, lind pyetja, çfarë broçkullash lexojnë këto kompani, që ua mbushin atyre mendjen se konsumatorët më në fund janë gati të lexojnë librat e tyre dixhitalë?! Pikësëpari, pajisjet për lexim elektronik janë të shtrenjta. Pastaj mbeten gjithnjë çështjet e jetëgjatësisë dhe mbajtjes së diçkaje që zë shumë vend në xhep. Nuk është e qartë as se sa të dhënë janë njerëzit të shpenzojnë një shumë të majme për një pajisje për lexim elektronik, kur, shumë thjesht, mund ta bëjnë këtë me një pajisje shumëfunksionale si Apple iPhone, e cila kushton thuajse njësoj, dhe veç librit dixhital, shërben edhe për muzikë, si celular, e një varg funksionesh të tjera. “Sony Reader ka qenë përherë një produkt i kripur, për 300 dollarë,” – shprehet Stifen Bejker, analist pranë NPD. “Blerësit e hershëm do të ishin gati të paguanin akoma më tepër, por tregu i gjerë nuk do ta ketë këtë gatishmëri, derisa çmimi të bjerë – dhe ka për të rënë. Me shumë mundësi, Amazon nuk pret të shesë miliona pajisje leximi 399 dollarëshe.” “Në këtë pikë ku ndodhen, qëllimi i tyre është të rreken t’i mësojnë tregut dhe botuesve se çfarë mund të bëjë një pajisje e tillë. Mos harroni se prodhuesve të muzikës dixhitale iu desh jo pak kohë për të gjetur modelin e tyre të biznesit.” Padyshim që pajisjet elektronike për lexim janë përmirësuar dukshëm. Janë më të lehta se më parë, më të thjeshta për lexim dhe, së paku në rastin e Amazon- it, nuk kanë nevojë të lidhen me një kompjuter personal për të shkarkuar një libër. Kindle do të lundrojë në Web përmes lidhjes Sprint EVDO. Kjo do të thotë se përdoruesit e saj mund të blejnë dhe shkarkojnë libra në të, sa herë që mund të lidhen me Web-in. Është shumë më e rehatshme se sa të mbash në qafë kapistallin e një kompjuteri portabël. Kindle ka një ekran 6-inç, afro 15 cm, me rezolucion 800x600, i cili përdor teknologjinë e “E Ink” për të lehtësuar leximin për sytë. Kompania, e cila njëkohësisht i ofron të njëjtën teknologji edhe Sony Reader-it, e mbush ekranin me kapsula të imta që përmbajnë mijëra copëza mikroskopike bardh-e-zi, të cilat përbëhen nga të njëjtat lëndë; bojë dhe letër. Ndërkohë edhe bateria është një gjetje më vete: - Për këtë arsye, ekrani e pasqyron dritën njësoj si faqja e një libri. Në vend të shikimit në dritën vezulluese të ekranit të kompjuterit, “E Ink”-u i ngjan më tepër leximit të bojës mbi letër dhe asnjë teknologji tjetër nuk e ka zhvilluar gjermësot, - shprehet Rus Uillkoks, drejtor i përgjithshëm I “E Ink”-ut. Ai nuk pranoi të fliste më tepër për Kindle-in, përpara se kjo e fundit të shpallej. “Fjalët janë të lexueshme nga kënde të ndryshme,” – thotë Uillkoks. “Ekrani nuk ka dritë nga pas dhe pjesën më të madhe të kohës lexuesit i shfaqet faqja pa ekran të ndritshëm. Kjo e lejon lexuesin të lexojë për orë të tëra, pa e shteruar baterinë.” Një tjetër avantazh për shitjet është padyshim pesha. Është më e lehtë të mbash një lexues elektronik se sa të jesh hamalli i një tufe me libra mbi shpinë. Kindle arrin të mbajë një library të vogël, por peshon vetëm 300 gr. Pajisjet e leximit elektronik do të kursejnë boll pemë dhe do të ulin shkallën e shpërdorimit, duke ia bërë zemrën mal ambjentalistëve. Nga ana tjetër, kur ka qenë vallë hera e fundit, që një romani të Ernest Heminguejt i kanë mbaruar bateritë? Lexuesit elektronikë janë gjithsesi të volitshëm, por konsumatorit do t’i duhet ta mendojë mirë hapin për ta patur një të tillë, duke marrë parasysh gjithë pluset dhe minuset e tij. Shkurt pra, ka akoma shumë rrugë për të bërë. Dhe problemet nuk mungojnë: Në një analizë të Sony Reader, CNET-i ankohet për një vonesë të shkurtër të pajisjes në kthimin e faqeve, komanda të ngadalta dhe se nuk mban formatin Audible të librave audio. Ndoshta, mangësia më e madhe e pajisjeve elektronike të leximit përpara Kindle-it ka qenë një përzgjedhje e ku_zuar librash që mund të përdoreshin me pajisjen përkatëse. Në rastin e Sony, kompania e tejkaloi çështjen duke përdorur një teknologji të patentuar për dosjet e librave, e cila nuk është e pajtueshme me pajisjet e tjera. Dhe sërish vijmë tek çmimi. Lexuesit kushtojnë thuajse njësoj sa një celular me funksione kompjuteri dhe librat elektronikë të Sony-t shpesh kushtojnë sa një libër i zakonshëm. “Nëse një libër elektronik kushton njësoj sa një libër i shtypur, atëherë, pse duhet blerë elektroniku?!” pyet Riçard Shim, analist pranë IDC. Një tjetër mënyrë me sukses të mundshëm për Amazonin, mund të jetë shfaqja e botimeve të gazetave dhe revistave, në një mënyrë sa më të ngjashme me versionin e shtypur. Një ndër veçoritë e Kindle do të jetë aftësia për të shkarkuar 50 deri në 100 gazeta, revista dhe botime të tjera të fushës së biznesit, përfshi edhe New York Times dhe Wall Street Journal. “Nuk mendoj se Apple do ia nisë që tani,” u shpreh Bejker. “Apple është e prirur të mos hedhë hapa të tjerë përgjatë zhvillimit të një versioni të parë të një produkti. Ata parapëlqejnë të presin, derisa të zhvillohet ca më tepër një model biznesi dhe një përmirësim hardueri.” Amazoni duhet të shpresojë gjithashtu mosdaljen në skenë të Apple-it. Do të ishte e thjeshtë t’i shtoheshin iPhone-it a_ësi leximi elektronik (plus përparësisë që gëzon kjo pajisje, duke mundësuar leximin e gjithçkaje në Web), - thotë Bejker. Video mbi Amazon Kindle Per me shume informacione mbi kete pajisje, shifni videon e meposhteme
Marre nga Revista Kompjuterike ZERO |
| Tjetri > |
|---|
| Tutoriale |
| Kompjuteri |
| Interneti |
| Shkarkime |
| Host & Domain |
| Sisteme Operative |
| Offtopic |